Milaim Zeka: Zoti na ruajt, me ba me ra Qeveria na mbetet puna në gjysmë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, në një deklaratë dhënë për media pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit Hetimor për PTK ka thënë se punësimet duhet të hetohen dhe se askush nuk mund të thirret në konfidencialitet të të dhënave e të mos u ofrojë dokumentet e nevojshme për Komision.

Zeka ka thënë se gjatë hartimit të propozimit të tij për këtë çështje, ka bërë një gabim dhe në vend të gjashtë muajve, ka kërkuar vetëm një muaj mandat.

“Zoti na ruajt me ba me ra Qeveria, na s’kemi me mbrri me i kry hetimet për punësime. Por do të përpiqemi që brenda gjashtë muajve ta bëjmë një hetim, në të cilin do të angazhohen edhe ekspertë ligjorë”, ka thënë Zeka para medieve.

Ndërkohë, Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala sot nuk ka arritur të shqyrtojë dokumentacionin e Telekomit të Kosovës, sepse menaxhmenti i kësaj kompanie nuk ia ka dorëzuar dokumentacionin këtij Komisioni.

Kryesuesi i këtij Komisionit Visar Ymeri tha se kryeshefi ekzekutiv i Telekomit Bedri Istrefi, ka kërkuar afat shtesë për kompletimin e gjithë dokumentacionit, mirëpo edhe pas afatit shtesë ky menaxhment nuk ka përfillur Komisionin Hetimor me arsyetimin se dokumentacioni është konfidencal dhe disa lëndë janë duke u hetuar nga Prokuroria e shtetit.

“Deri tash nuk kemi kurrfarë dokumentacioni nga menaxhmenti i Telekomit. Dje ka qenë afati i fundit për të na e dërguar dokumentacionin”, tha Ymeri, duke shtuar se ky ngurrim nga menaxhmenti shton dyshimet për keqpërdorime në Telekom.

Ndërsa deputeti Armend Zemaj, tha se ky Komision duhet të dërgojë edhe një letër me shkrim menaxhmentit të Telekomit për dorëzimin e dokumentacionit për hetim.

Zemaj tha se askush nuk duhet të përpiqet ta ndaloj hetimin në Telekom.

Deputetja Albulena Haxhiu shprehu shqetësimin për mos bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës.

“Kjo tregon një papërgjeshmërinë dhe tendencat për ta ndaluar hetimin në Telekom. Asgjë nuk është kërkuar që është konfidenciale. Ne duhet t’i ndjekim të gjithë hapat ligjor për hetimin e gjendjes në Telekom”, tha Haxhiu./PERISKOPI

Komentoni

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial